Artikulli 1: Rekrutimi i bazuar në meritë:
Pse nuk mjafton emërimi i kandidatit me performancën më të lartë?
Në qershor 2021, Qeveria e Kosovës dhe Ambasada Britanike nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) që Partnerët Zbatues Ndërkombëtar të vazhdojnë mbështetjen, monitorimin dhe raportimin në mënyrë të pavarur për emërimet në pozita të larta publike në Kosovë.
Memorandumi i Mirëkuptimit përcakton kushtet për Projektin për rekrutime të pavarura, të përgjegjshme, meritokratike dhe profesionale në Kosovë i cili do të zgjasë deri në mars 2024.
Një nga synimet është që praktikat e rekrutimit të bazuara në meritë të bëhen normë për emërimet pozita të larta publike. Por çfarë do të thotë të rekrutosh bazuar në 'meritë'?
Një keqkuptim i zakonshëm është se merita është kur një proces rekrutimi emëron kandidatin me performancën më të lartë. Por ky është vetëm njëri nga aspektet!
Një proces është i bazuar në meritë vetëm kur janë të pranishme tri parime të ndërlidhura:
Parimi 1: Kriteret janë kërkesa objektive dhe të arsyetueshme për pozitën.
Kjo do të thotë se kriteret e përdorura për të përcaktuar pranueshmërinë e kandidatëve dhe për të matur performancën e tyre gjatë procesit të rekrutimit konsiderohen si vendimtare për pozitën (rolin). Këto duhet të jenë kriteret më të rëndësishme që bëjnë dallimin midis atyre që mund ta bëjnë punën në një nivel performance minimale dhe të atyre që janë të aftë ta bëjnë punën me një nivel superior performance. Kjo është e rëndësishme për të siguruar që dallimet ndërmjet kandidatëve të trajtohen mbi një bazë kuptimplote dhe të arsyetueshme.
Parimi 2: Metodat dhe praktikat e vlerësimit ofrojnë matje të mjaftueshme dhe të saktë të kritereve.
Ndërsa vendosja e kritereve të sakta është thelbësore, një proces i bazuar në meritë duhet të jetë në gjendje të matë ato kritere me saktësi. Pa matje të saktë, nuk do të ketë proces rekrutimi të bazuar në meritë. Këtu duhet të përdoren metoda vlerësimi që mund të matin në mënyrë të përshtatshme kriteret në një mënyrë që tregon për aftësinë e kandidatit për të kryer detyrën për të cilin aplikon.
Megjithatë, shkalla në të cilën ky vlerësim kryhet me zell dhe konsistencë nga komisioni do të përcaktojë edhe nëse metodat dhe praktikat ofrojnë një matje të përshtatshme të kritereve. Për shembull, tema e prezantimit duhet të jetë e relevante për sfidat me të cilat përballet organizata për të cilën aplikon (d.m.th. është relevante) dhe vlerësohet sistematikisht sipas kritereve (d.m.th., kompetencave të sjelljes) që kërkohen për të kryer detyrën në mënyrë efektive.
Parimi 3: Emërimi i kandidatit me performancën më të lartë.
Sigurisht, emërimi i kandidatit me performancën më të lartë është thelbësor për një proces rekrutimi të bazuar në meritë. Megjithatë, parimet janë hierarkike; vetëm kur ekzistojnë dy parimet e para, emërimi i kandidatit me performancën më të lartë mund të konsiderohet i bazuar në meritë.
Çka do të thotë kjo …
Kur shikoni emërimin e një kandidati, është me rëndësi të pyesni nëse ai ishte kandidati me performancën më të lartë. Pastaj duhet të pyesni nëse procesi i krijimit të rangimit është bërë në mënyrë kuptimplote dhe të saktë. Vetëm nëse trajtohen dhe përmbushen dy parimet e para, do të ketë besim në rezultat.